“Qeveria e Kosovës do t’i realizojë zotimet e Skënderbeut”

“Qeveria e Kosovës do t’i realizojë zotimet e Skënderbeut”

Si qeveri e Kosovës do t’i realizojmë zotimet e komandantit legjendar, Adem Jashari, por edhe ato të Skënderbeut, ka thënë zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që bashkë me kabinetin qeveritar e me përfaqësues të Kuvendit kanë vizituar Memorialin e dëshmorëve në Prekaz.

“Kemi ardhur bashkë me kuvend dhe qeveri, këtu ku më mirë se gjithkund tjetër dëshmohet sakrifica jonë”, deklaroi Bislimi.

Ai shtoi se “jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetëmohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur”, pohoi Bislimi.

Më pas, në fund të fjalimit të shkurtër, deklaroi se “si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”.

Arsye pse Bislimi ka udhëhequr delegacionin shtetëror për në Prekaz, është se kryeministri i Kosovës bashkë me zyrtarët e lartë të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri në organizimet e përbashkëta me qeverinë shqiptare.